Si mund të besojmë në Zot, pa e parë Atë me sy?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
lutje mbrojtja Zoti

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit
Atë e lavdërojmë dhe i dërgojmë salavate të Dërguarit të Tij fisnik

“A dyshoni në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të tokës?!”

Dhjetë argumente për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm

Kundërshtimi më i madh ndaj feve dhe besimeve, i ngritur nga bota që beson vetëm në aspektin lëndor të gjërave, është mbi vetë ekzistencën e Zotit. Idhujtarët pavarësisht se adhurojnë idhuj të tjerë krahas Zotit, prapëseprapë të paktën besojnë në ekzistencën e Tij. Kurse ateistët e mohojnë tërësisht. Shkenca e sotme dijen e çdo gjëje e ka bazuar mbi shqisën e të parit, për këtë arsye, ateistët në përgjithësi pyesin:

Nëse Zoti ekziston, na e trego që ta shohim! Si mund ta besojmë Atë pa e parë vetë?

Fryma e botës së sotme ka fshirë nga zemrat e shumë të rinjve shenjat e Asaj Qenieje të Pastër. Studentë të shkollave të larta, pedagogë, avokatë etj., gjithnjë e më tepër po bëhen mohues të Zotit. Rreth jush mund të hasni me mijëra njerëz, të cilët për shkak të frikës nga populli a vendi, nuk e shfaqin mendimin e tyre, por e vërteta është se përbrenda nuk besojnë hiç në ekzistencën e Zotit. Prandaj, e pashë të udhës, nëse Zoti i Madhërishëm më mundëson, të shkruaja e të botoja një libërth për këtë temë, se ndoshta ndonjë shpirt i pastër përfiton.

“DO TË BESOJMË NË ZOT, VETËM KUR TA SHOHIM ME SY!”

Më ka rastisur shpesh ta dëgjoja këtë kërkesë, dhe çdo herë më ka habitur. Gjëra të ndryshme njeriu i njeh nëpërmjet shqisave të ndryshme. Disa gjëra i njeh me të parë, disa i njeh me të prekur, disa me të nuhatur, disa me të dëgjuar, disa me të shijuar e me radhë. Ngjyrën e bojës mund ta dalloni vetëm duke e parë dhe jo duke e nuhatur, as duke e prekur, e as duke e shijuar. A nuk do t’ju duket qesharak ai që këmbëngul se do ta dallojë ngjyrën, duke i dëgjuar zërin?!

Tingujt i njohim nëpërmjet dëgjimit. A nuk do ta quanim qesharak atë që do të pretendonte se sheh me sy zërin e dikujt?! Gjithashtu, aromën e ndieni me shqisën e të nuhaturit. Por nëse dikush ju kërkon: “do ta besoj se ky është trëndafil, nëse më mundëson ta ha aromën e tij”, a do ta merrnit seriozisht?!

Po ashtu, gjërat që dallojmë nëpërmjet të shijuarit, siç janë ëmbëlsirat, të kripurat, të hidhurat, të thartat etj., nëse dikush këmbëngul t’i njohë nëpërmjet të nuhaturit, nuk do të arrijë kurrë. Pra, nuk është domosdoshmëri që ne të besojmë vetëm gjërat që na dalin para syve, e ato që nuk i shohim, të mos i besojmë, sepse kështu do të na duhet të mohojmë aromën e trëndafilit, thartësinë e limonit, ëmbëlsinë e mjaltit, hidhësinë e pelinit, fortësinë e hekurit, jehonën e zërit dhe çdo gjë tjetër si këto, pasi nuk i shohim dot me sy.

Prandaj, a nuk ju duket i pakuptimtë kundërshtimi i atyre që nuk besojnë në Zot vetëm e vetëm sepse nuk e shohin me sy Atë? Duke qenë se kundërshtarët e tillë besojnë në ekzistencën e gjërave që kemi renditur më sipër edhe pa i parë ato me sy, përse vallë vetëm për Qenien e Zotit të Madhërishëm thonë se nuk e besojnë përderisa nuk e shohin me sy Atë?!

Përveç kësaj, vetëm brenda trupit të njeriut ka shumë gjëra që të gjithë ne besojmë se ekzistojnë dhe që funksionojnë, pa i parë ndonjëherë me sy. A besoni apo jo se në trupin tuaj keni një zemër, një mëlçi, mushkëri, brinjë, shpretkë, edhe pse kurrë nuk i keni parë ato me sy? Nëse njeriut do t’i duhet t’ia vinim përpara gjithë këto, a do të mbetej i gjallë për t’i parë ato me sytë e vet?!

Në shembujt që janë ilustruar më sipër ju tregova për gjërat që pavarësisht se nuk ka nevojë t’i shohim me sy për t’i vërtetuar, na duhet patjetër njëra nga shqisat e mbetura. Por ka edhe shumë gjëra të tjera që nuk i dallojmë dot drejtpërdrejt me asnjërën prej këtyre pesë shqisave dhe metoda për t’i njohur ato është krejtësisht tjetër. Për shembull, mendja, kujtesa, intelekti, etj. janë gjërat që askush në botë nuk i mohon dot, por a mundet vallë që dikush ta ketë parë mendjen, ose ta ketë dëgjuar, ose ta ketë shijuar ose ta ketë nuhatur?! Pse atëherë beson se mendja ekziston?!

Mendoni pak për forcën. Çdo njeri ka forcë, dikush më pak, dikush më shumë, por këtë a e ka parë ndokush me sy në formë fizike, ose a e ka dëgjuar, a e ka prekur apo e ka shijuar?! Pse atëherë çdo njeri në botë, qoftë i shkolluar apo i pashkolluar, beson se forca ekziston. Arsyeja është që shohim pasojat dhe ndikimet e forcës. Po ashtu, kur njeriu has një vështirësi, mendon për të gjetur një rrugëdalje dhe e gjen atë. Atëherë kupton se ka diçka që i shërben në situata të tilla dhe e quan mendje. Pra, mendjen ne nuk e kemi zbuluar drejtpërdrejtë nga asnjëra prej pesë shqisave tona, por vetëm duke dëshmuar mrekullitë e saj.

Po kështu, vërejmë që njeriu ngre barra shumë të rënda, dhe kuptojmë se ai zotëron diçka që e mundëson t’i ngrejë ato ose arrin t’i nënshtrojë gjërat më të dobëta se ai, dhe këtë e quajmë forcë.

Kështu që, një gjë e caktuar sa më shumë të jetë e patrupëzuar, aq më shumë ajo është larg shikimit të njeriut dhe njeriu gjithmonë do ta vërtetojë atë nëpërmjet ndikimeve të saj dhe jo nëpërmjet shqisës së të parit, as të të shijuarit, as të të nuhaturit dhe as të të prekurit.

Kurse Allahu i Madhërishëm është Qenia më e patrupëzuar se çdo gjë tjetër e patrupëzuar. Si mundet vallë që njerëzit t’i lejojnë vetes t’i vënë kufizime të tilla pikërisht Zotit duke thënë se nuk do ta besojnë, derisa nuk do ta shohin Atë?! Vallë, kanë parë me sy rrymën elektrike? Nëse jo, a e mohojnë ekzistencën e energjisë së saj, dhe të të gjitha funksioneve që realizohen përmes saj?!

Zbulimi i etherit (mediumit) në botën fizike shkaktoi një jehonë, por shkencëtarët deri më sot nuk kanë mundur dot të krijojnë ndonjë mjet për ta parë atë, apo për ta dëgjuar, për ta shijuar apo për ta prekur atë. Por nëse mohojnë ekzistencën e tij, nuk mund ta shpjegojnë dukurinë sesi mbërrin drita e diellit në Tokë. Pra, a nuk është padrejtësi që duke i pasur këto dëshmi, për çështjen e Zotit njeriu të këmbëngulë se do ta besojë vetëm nëse do ta shikojë Atë?!

Realisht, Allahu i Madhërishëm shikohet, por me ata sy që janë të aftë ta shohin Atë. Nëse dikush e kërkon Zotin, Zoti i shfaqet atij përmes fuqive dhe mrekullive të Tij dhe pavarësisht se Ai është i fshehtë, mund të bëhet gjëja më e dalluar për të. Kurani Famëlartë e shpjegoi këtë temë shkurt, por në mënyrë mbresëlënëse. Zoti i Madhërishëm thotë në Kuran:

Sytë nuk e arrijnë Atë dhe Ai i arrin sytë. Ai është i Mprehti, i Gjithinformuari.[1]

Në këtë ajet Zoti i Madhërishëm i tërheq vëmendje njeriut duke thënë se shikimi i tij nuk ka aftësi ta shohë Qenien e Zotit, sepse Ai është i Patrupëzuar. Gjërat që nuk kanë trup, nuk rroken nga sytë, siç është mendja, forca, shpirti, rryma elektrike, etheri, etj.. Ndërsa Zoti i Madhërishëm është Qenia më e patrupëzuar se gjithçka tjetër, si mund ta rrokin sytë e njerëzve Atë?!

Shtrohet pyetja: Si mundet atëherë që njerëzit ta shohin dhe ta njohin Atë? Përgjigjen e jep pjesa e dytë e këtij ajeti që thotë: “Ai i arrin sytë”. Pavarësisht se shikimi i njeriut është i dobët dhe si i tillë nuk e rrok dot Zotin, Ai manifeston Veten e Tij përpara njeriut, duke i treguar fuqinë madhështore, krijimtarinë e jashtëzakonshme dhe cilësitë e Tij të përsosura. Ai shfaqet përpara njeriut herë përmes shenjave të llahtarshme, herë përmes profetëve të Tij, herë përmes shenjave të mëshirës së Tij, e herë duke i pranuar lutjet dhe përgjërimet.

Pra, nëse e kushtëzoni besimin në Zot me mundësinë për ta parë me sy Atë, atëherë do t’ju duhet të mohoni pesë të katërtat e fenomeneve, e madje sipas disa filozofëve që pohojnë se asgjë nuk është e dukshme në botë, përveç cilësive të gjërave, do t’ju duhet të mohoni të gjitha fenomenet.

Pas këtij sqarimi, më lejoni të paraqes prova që tregojnë ekzistencën e Zotit dhe që bindin njeriun se ai nuk është i vetëkrijuar, por e ka një Krijues.


[1]  Kurani Famëlartë 6:104.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp