Pra, nuk mjafton që t’i dimë kuptimet e fjalëve, të emrave të Zotit, por duhet të krijojmë atë ndjesi që vjen si rezultat i tyre. Kjo do të thotë se duhet të mësosh atributet e Zotit një nga një dhe pastaj të thellohesh në kuptimet e tyre. Për shembull, Rrab do të thotë Krijues dhe Mbajtës. Tani, duhet të thellohesh se çfarë do të thotë Mbajtës dhe se si ai i mban dhe i rrit krijesat. Duhet të thellohesh në të, gjersa të fitosh ndjesinë që përftohet nga ky atribut. Pra, ai njeri që dëshiron t’i krijojë atributet e Zotit në veten e tij, ka nevojë t’i studiojë e të mendojë rreth tyre. Vetëm atëherë ai mund të perceptojë kuptimet e tyre të vërteta.
Mbajeni mend, kur do të filloni të perceptoni kuptimet e tyre të vërteta, vetvetiu do të fitoni dijen për të mirën dhe për të keqen, sepse pikërisht përshtatja sipas këtyre atributeve, me fjalë të tjera, quhet mirësi, ndërsa heqja dorë nga ato ose të vepruarit kundër tyre, quhet ligësi. Parimisht, në Kuranin Famëlartë urdhri kryesor është që të bësh veprat duke i përshtatur sipas atributeve të Zotit dhe të jesh larg gjërave që bien ndesh me to. Pastaj gjithçka që përmendet rreth së mirës e së keqes është shpjegimi i saj. Ka shumë njerëz që nuk kuptojnë se cila është e mira dhe cila është e keqja, madje në shumicën e rasteve të mirën e konsiderojnë si të keqe dhe anasjelltas. Arsyeja kryesore e këtij gabimi është se ata nuk dinë se çfarë u kërkojnë atributet e Zotit.