Pra, janë tri kërkesa për ta gjetur njohjen e Zotit: e para është lutja; e dyta përpjekjet; e treta përpjekjet në mënyrën e duhur. Lidhur me këto do t’ju tregoj disa gjëra, të cilat nëse do t’i mbani mend e do t’i praktikoni ashtu siç them, në dashtë Allahu, do të keni sukses.
Rreth përpjekjeve të duhura dua t’ju tregoj edhe diçka tjetër. Ato duhet të përfshijnë të gjitha elementet që janë të nevojshme për ta arritur suksesin. Për shembull, një student që dëshiron të hyjë në provimin për t’u regjistruar në shkollë të lartë, bashkë me lëndë të tjera si historia dhe gjeografia, duhet ta dijë edhe matematikën si dhe tema të tjera që do të pyeten në provim. Por nëse dikush merret vetëm me një lëndë dhe e përvetëson mirë atë, duke i lënë pas dore lëndët e tjera, atëherë as ai nuk mund të ketë sukses. Kjo tregon se përpjekjet tona duhet t’i përfshijnë të gjitha elementet e duhura.