Le të shohim tani se cila është rruga për ta gjetur njohjen e Zotit. Kam folur për ata që përpiqen shumë por nuk e gjejnë atë. Dua të flas pak edhe për ata që nuk përpiqen aspak, por dëshirojnë ta kenë njohjen e Zotit. Veprat e njerëzve të tillë tregojnë se ata aspak nuk dëshirojnë të mundohen për këtë. Veç se kurdoherë dëgjojnë për njohjen e Zotit, gëzohen dhe ndiejnë sikur edhe ata ta gjenin. Por këta njerëz kurrsesi nuk mund ta arrijnë atë, sepse njohja e Zotit është një thesar i paçmueshëm. Edhe gjëra të rëndomta që nuk kanë shumë vlerë, nuk mund t’i gjejmë pa u përpjekur. Edhe fëmijët e vegjël kur përpiqen të kapin fruta nga pemë të ndryshme, plagosen e lëndohen nga gjembat dhe shpesh u grisen edhe rrobat. Nëse një gjë kaq e lirë nuk mund të arrihet pa përpjekje, si mund të imagjinohet që ta gjejmë Zotin pa asnjë vështirësi. Nëse ka diçka të çmueshme në të dyja botët, është vetëm Zoti. Si mund të imagjinosh që ta gjesh Atë vetëm me një psherëtimë apo pendim?! Njerëzit e tillë nuk e kanë gjetur Zotin e as nuk kanë për ta gjetur kurrë. Patjetër duhet të bësh përpjekje për ta gjetur Atë.
Nëse dikush bën bejtin me këtë shpresë, që, këtu të vendosë dorën mbi dorë për bejtin, dhe atje të jetë në oborrin e Zotit, atëherë ai gabon dhe nuk mund të ketë sukses. Disa njerëz mendojnë se në botë ka edhe njerëz të shenjtë të tillë, që me një shikim mbi dikë ia largojnë të gjitha mangësitë duke e shndërruar edhe atë në një njeri të shenjtë. Edhe kjo nuk është e drejtë, sepse nuk është e mundur që njohja e Zotit dhe irfani i Tij të arrihet kaq lehtë. Gjerë më sot, nuk mund të gjejmë asnjë njeri si shembull që ka arritur Zotin pa përpjekje. Njerëzit më të lartë në nivel janë profetët. Eulijat janë shumë më poshtë sesa profetët. Ndaj, është diçka krejt e gabuar të thuash se Hazret Sejid Abdul Kadir Gjilanira duke parë një kusar, e kishte shndërruar në një njeri të shenjtë, apo Hazret Muinuddin Çishtira ka arritur të gjitha nivelet shpirtërore përmes mësuesit të tij, i cili i kishte hedhur vetëm një shikim. Këta kanë qenë ndjekës të Profetit Muhammedsa. Le të shohim se si e ka arritur Zotin mësuesi i tyre. Për Profetin Muhammedsa Kurani Famëlartë thotë:
وَ وَجَدَکَ ضَآلًّا فَہَدٰیNe të kemi gjetur ty të përhumbur pas Nesh, aq shumë saqë ti nuk kishe asnjë haber për veten, atëherë të udhëzuam.[1]
Në këtë ajet, fjala arabe (dāllan) nuk do të thotë “i devijuar” apo “i përhumbur”, por i përhumbur pas dashurisë së Zotit aq shumë saqë ta harrojë fare veten e tij. Sepse ajete të tjera të Kuranit tregojnë se Profeti Muhammedsa kurrë nuk u devijua, siç thotë në një vend:
مَا ضَلَّ صَاحِبُکُمۡ وَ مَا غَوٰی“Shoku juaj as nuk u humb e as nuk u devijua”.[2]
Madje, çdo vepër të tij, Kurani e quan model për ta ndjekur:
لَقَدۡ کَانَ لَکُمۡ فِیۡ رَسُوۡلِ اللّٰہِ اُسۡوَۃٌ حَسَنَۃٌ“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të shkëlqyer”.[3]
Pra, fjala dāllan duhet të përkthehet ashtu siç tregojnë ajetet e tjera, të cilat thonë se Profeti Muhammedsa ka qenë krejtësisht i përhumbur pas Allahut, aq shumë saqë nuk kishte aspak merak për veten, madje kishte hequr dorë nga të gjitha dëshirat e tij. Ne pikërisht kështu e kuptojmë ajetin që citova pak më lart dhe ashtu e besojmë. Vetëm pas kësaj gjendjeje të mundimshme të tij, Zoti thotë: “Ne e udhëzuam atë”. Pra, kjo ishte ajo çfarë kishte ndodhur me Profetin Muhammedsa , i cili është mbreti i të gjithë profetëve. Nuk mund të thuhet se ai ishte munduar kaq shumë për ta gjetur Zotin dhe të tjerët mund ta gjejnë pa asnjë përpjekje. Kur vetë Profeti Muhammedsa kishte ndjekur rrugën e përpjekjeve, atëherë si mund të besohet që eulijat e umetit të tij ishin çudibërës të tillë që me një shikim shenjtëronin njerëzit.
Shkurt, ata që duan ta arrijnë njohjen e Zotit, duhet të mundohen shumë. S’ka rrugë tjetër. Çudi, për të përvetësuar gjuhën angleze, njerëzit mundohen në shkollë për 16 vite, ndërsa Zotin duan ta arrijnë për një ditë! Është e vërtetë që njohja e Zotit vjen si bekim i Tij dhe ajo mund të gjendet vetëm përmes Zotit. Po të ishte e bazuar vetëm mbi përpjekjet, atëherë në krahasim me shkencat e tjera, njohjen e Zotit nuk mund ta arrinin as në miliona vite, e megjithatë, ka njerëz që duan ta arrijnë falë vetëm një shikimi! Ajo që duam të themi është se nëse njohja e Zotit me të vërtetë nuk mund të arrihet brenda një dite, a ka mundësi që të arrihet në disa muaj ose në disa vite, duke ndjekur profetët dhe eulijat. Çdokush e gjen sipas mundësive dhe përpjekjeve të tij. Elhamdulillah[4] njerëzit e Xhematit tonë nuk janë të atillë që mendojnë ta gjejnë Zotin në një çast. Çdokush prej jush që dëshiron ta gjejë Zotin, duhet ta kuptojë mirë e ta dëgjojë atë çfarë do t’ju them sot. Mendoj se s’mund të ketë njeri midis jush që nuk e do Zotin, sepse keni pranuar Mesihun e Premtuaras pikërisht për këtë qëllim.
Nuk them se këto gjëra që do t’ju tregoj, nuk i keni dëgjuar kurrë më parë. Përkundrazi, shumë nga këto edhe mund t’i keni dëgjuar. Qëllimi im është që dijen që ma dha Zoti rreth kësaj teme, t’jua përcjell në atë mënyrë që ju të filloni ta shfrytëzoni në jetën tuaj. Zoti më dha dije të veçantë në këtë fushë dhe kjo nuk është për shkak të ndonjë cilësie timen e as nuk e kam arritur këtë dije vetë nga mundimet apo përpjekjet e mia. Bekimi dhe mëshira e Zotit më bëri ta mësoj këtë dije. Prej shumë kohësh kisha dëshirë që t’ju flisja për këtë. Kjo dije ka shumë degëzime dhe këtu as nuk kemi kohë e as nuk kam shëndet që t’ju tregoj gjerësisht. Kam marrë vetëm një degë dhe gjatë fjalimit, nëse Zoti më mundëson, mund të prek edhe tema të tjera që kanë lidhje me këtë çështje. Nuk e di deri sa mund të më lejojë shëndeti im. Edhe unë, edhe disa nga shokët e mi kanë parë ëndrra të frikshme. Do të mundohem ta shfrytëzoj këtë kohë që ta shtjelloj sa mundem, të tjerat do t’i lë sipas dëshirës së Zotit. Bashkë me ëndrra të frikshme, kam marrë edhe disa lajme të gëzueshme prej Zotit, edhe pse ato nuk janë të tilla që të më bëjnë t’ju them me siguri, që Zoti do të më lejojë ta shtjelloj këtë temë më vonë.
Një ndër lajmet e gëzueshme është një ëndërr në të cilën kam parë që jam ulur në Baitud Dua (shtëpinë e lutjes) ashtu siç ulemi në namaz dhe po lutem: “O Zot, fundi im të jetë si fundi i Hazret Ibrahimit”, pastaj i emocionuar u çova në këmbë dhe vazhdova ta bëja këtë lutje. Ndërkohë u hap dera dhe aty ishte Mir Muhammad Ismail sahibi, i cili më shfaqte dritë. Kuptimi i Ismailit është “Zoti e dëgjoi”. Fundi i Ibrahimit ishte që Zoti pas vdekjes së tij, kishte ngritur Is’hakun dhe Ismailin si pasardhës të tij. Kjo është një sihariq, nga i cila le të gëzoheni.
[1] Kurani Famëlartë 93:8.
[2] Kurani Famëlartë 53:3.
[3] Kurani Famëlartë 33:22.
[4] Lavdia është e Allahut.