Disa ekspedita ushtarake pas Uhudit dhe ngjarjet nga jeta e Muhammedit a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Disa ekspedita ushtarake pas Uhudit dhe ngjarjet nga jeta e Muhammedit a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Sot, do të përmend disa nga ekspeditat ushtarake të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Në fillim, do të përmendet provokimet e fisit Benu Esed dhe më pas do të trajtohet beteja e Ebu Selemes.

Sarīja (سريَّة) janë ato ekspeditat ushtarake, në të cilat nuk kishte marrë pjesë vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., por dërgonte një grup muslimanësh. Këto fushata ndriçojnë disa aspekte të jetës së Profetit s.a.v.s., si dhe hedhin dritë mbi largpamësinë dhe strategjinë e tij për të mbrojtur muslimanët. Serijet na tregojnë gjithashtu ndjenjat e dashamirësisë se Profetit s.a.v.s. ndaj kundërshtarëve.

Serijja “Ebu Seleme”

Serijja Ebu Selema u zhvillua në 4 hixhri, nën udhëheqjen e Hazret Ebu Seleme ibn Abdul Esed Makhzumit. Emri i tij i vërtetë ishte Abdullahu ndërsa njihej me nofkën Ebu Selema. Nëna e tij quhej Berrah bint Abdulmutalabbit dhe ai ishte djali i hallës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ebu Selema ishte gjithashtu vëllai i Hazret Hamzait pasi ishte ushqyer nga qumështi i Thobijes, robëreshës së Ebu Lehbit. Para se të martohej me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., nëna e besimtarëve Hazret Umi Selama ishte kurorëzuar me Hazret Ebu Selemen.

Hazret Ebu Selama mori pjesë në luftën e Bedrit, ndërsa mbeti i plagosur në luftën e Uhudit. Mjekimi zgjati gati një muaj, dhe plaga iu shërua plotësisht dhe nuk mund të dallohej.

Prapaskenat e kësaj lufte janë si në vijim: Hipokritët dhe hebrenjtë që jetonin në Medinë, pritën me gëzim ngjarjen dhe rezultatin e luftës së Uhudit. Ata edhe një herë filluan të mendonin se mund të kurdisnin planin për shkatërrimin e plotë të muslimanëve në një të ardhshme të afërt. Po ashtu, fiset periferike rreth Medinës, të cilëve u kishte hyrë frika e muslimanëve pas fitores së Bedrit, tani edhe atyre u kishte rënë ndërmend se meqë ata tashmë kanë pësuar humbje të rëndë në Uhud, ai ishte momenti i duhur për t’u shkaktuar muslimanëve dëme të tjera, si dhe t’ua plaçkitnin pasuritë e tyre.

Në këtë mënyrë kaluan 2 muaj nga përfundimi i luftës së Uhudit. Benu Esed ibn Hazima ishte fisi i parë që thuri intrigën për të sulmuar muslimanët. Banorët e këtij fisi banonin në Nexhd dhe kryetari i fisit Tulejha ibn Huvejlid dhe vëllai i tij Seleme ibn Huvejlidi sajuan planin për të ngritur një ushtri kundër muslimanëve.

Kajs ibn Harith ibn Umejri ishte anëtar i fisit Benu Esed, i cili e këshilloi popullin e tij për të hequr dorë nga plani i sulmit. Ai u tha: “O populli im! Ky veprim nuk është aspak i logjikshëm. Ne kurrë nuk kemi parë asnjë të keqe nga muslimanët, dhe ata nuk na sjellin asnjë dëm. Madje, ata kurrë nuk na kanë sulmuar për plaçkitje e grabitje. Ne ndodhemi gjithashtu larg nga Medina dhe nuk posedojmë ndonjë ushtri të fuqishme si Kurejsh. Madje, edhe kurejshët për një kohë të gjatë u kanë lypur ndihmë fiseve të tjera arabe. Aq më tepër, ata ishin rënduar nga barra e hakmarrjes dhe ishin nisur duke mbajtur frenat e kuajve dhe deveve, dhe me 3000 luftëtarë dhe shoqërues. Ata ishin pajisur me armë lufte, por ju çfarë pozite keni në krahasim me ta. Po të dilni kundër muslimanëve, nuk do të gjeni më shumë se 300 ushtarë. Nëse dilni larg vatrave tuaja, në vetëmashtrim të skajshëm, kam frikë se po e kërkoni vetë belanë”. Por, fisi i tij nuk u bind nga fjalët e tij.

Në anën tjetër, i Dërguari i Allahuts.a.v.s. gjithashtu mësoi për planin e Benu Esedit për të sulmuar Medinën. Velid ibn Zuhejri, pjesëtar i fisit Tej kishte mbërritur në Medinë. Ai kishte ardhur për të takuar mbesën e tij Zejnep, e cila ishte martuar me Tulejb ibn Umejr ibn Vehbin r.a.. Kur ai ua kallëzoi planin e Benu Esedit, i Dërguari i Allahut s.v.a.s. vendosi që muslimanët të mos presin për sulmin e Benu Esedit, por të marshojnë vetë në vatrat e tyre si masë vetëmbrojtëse.

Për këtë qëllim, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri Ebu Seleme ibn Abdul Esedin dhe e porositi për t’u nisur për këtë fushatë. Profeti s.a.v.s. gjithashtu e caktoi atë udhëheqës të këtij misioni ushtarak. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dorëzoi një flamur dhe i tha: “Vazhdoni marshimin deri në vatrën e Benu Esedit, para se ata të mobilizohen kundër jush. Kur të mbërrini atje, hidhuni vrulltas në sulm”. Kështu, sipas porosisë së të Dërguari të Allahut s.a.v.s., kolona ushtarake prej 150 muslimanësh, nën drejtimin e Ebu Selemes, nisi marshimin për të shkatërruar planin e këtyre fiseve. Anëtari i fisit Tej, pra Velid ibn Zuhejri i shoqëroi muslimanët si udhërrëfyes.

Disa prej emrave, të cilët morën pjesë në këtë fushatë janë si më poshtë:

  1. Ebu Sebre ibn Ebi Rehmi,
  2. Abdullah ibn Suhejl ibn Amri,
  3. Abdullah ibn Mukrema Amri,
  4. Mu’ate ibn Fadli,
  5. Erkem ibn Ebi Erkemi,
  6. Ebu ‘Ubejde ibn Xherrahu,
  7. Suhejl ibn Bejdau,
  8. Usejd ibn Hudejr el-Ensariu,
  9. Abad ibn Bishr el-Ensari,
  10. Ebu Naile el-Ensariu,
  11. Ebu ‘Abes Katada ibn N’umani,
  12. Neder ibn Harithi,
  13. Ebu Katada el-Ensariu,
  14. Ebu Ajash Surkiu,
  15. Abdullah ibn Zejd el-Ensariu,
  16. Hubejb ibn Jesafi,
  17. S’ad ibn Ebi Vekasi,
  18. Ebu Hudejfe ibn ‘Ateba,
  19. Salim, i liruar nga Ebu Hudhjefa.

Sahabët e mbajtën të fshehur fushatën e tyre dhe duke iu shmangur rrugës së përgjithshme, ata lëvizën me shpejtësi për të arritur sa më shpejt kundërshtarin e tyre. Ata marshuan ditë e natë pa pushim. Sipas një transmetimi, duke udhëtuar, ata strehoheshin në ndonjë vend të fshehtë gjatë një pjese të natës. Në këtë mënyrë, pas një udhëtimi të pandërprerë që zgjati katër ditë, ata mbërritën te rrëza e malit “Katen”. Në lidhje me “Katenin”, është përmendur që ai është një mal që ndodhet afër “Fejdit”, ndërsa “Fejdi” është emri i një ndalese në rrugën për në Fejdi Kufe, ku gjendej burimi i Benu Esed ibn Hazimes.

Me të mbërritur në këtë vend, muslimanët kapën bagëtitë e tyre, dhe tre nga çobanet e tyre, i zunë si rob lufte, ndërsa të tjerët ia mbathën me të katra.

Çobanët, të cilët kishin shpëtuar nga muslimanët, mbërritën në kampin e ushtrisë së Benu Esedit. Ata i njoftuan se ushtria muslimane qenka mbërritur, madje ata i hiperbolizuan numrin e ushtarëve muslimanë. Shprehjet hiperbolike të çobanëve i kallën frikë ushtrisë së tyre. Benu Esedët u trembën nga forca e muslimanëve, aq më tepër ardhja e tyre e papritur gjithashtu i kishte trembur rëndë. Në këtë gjendje kaosi, ata u shpërndanë dhe u hodhën në arrati.

Kur Hazret Ebu Selema mbërriti në kampin e Benu Esedit, ai e gjeti të zbrazët nga ushtria armike. Ai nisi disa njësi për ta ndjekur ushtrinë e tyre. Për këtë qëllim, ai e ndau ushtrinë muslimane në tri pjesë. Një pjesë mbeti me të, ndërsa dy të tjera i nisi në dy drejtime të ndryshme. Ai i kishte porositur që të mos shkonin larg në ndjekjen e armikut dhe nëse nuk do të ndesheshin me armikun, të ktheheshin menjëherë për të kaluar natën bashkë në kamp. Ai gjithashtu u kishte thënë që të mos shpërndaheshin nga njëri-tjetri dhe të marshonin si një kolonë e vetme. Por, armiku ishte arratisur me kaq vrull, saqë muslimanët nuk u ndeshën me asnjërin prej tyre.

Hazret Ebu Selema mori rrugën e kthimit bashkë me plaçkat e armikut. Udhërrëfyesi që u printe muslimanëve, u kthye sërish në Medinë. Pasi që kishin bërë një copë rrugë, Hazret Ebu Selema shpërndau plaçkat e luftës midis ushtarëve muslimanë. Ai gjithashtu ruajti ⅕ të plaçkave për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ai e shpërbleu edhe shoqëruesin dhe i dha aq sa ai u kënaq. Secili sahab kishte marrë nga 7 deve dhe disa bagëti të imëta. Në këtë mënyrë, ky mision përfundoi me sukses dhe sahabët u kthyen mirë e shëndoshë pas 12 ditësh në Medinë.

Vdekja e Ebu Selemes

Në lidhje me vdekjen e Hazret Ebu Selemes, kemi të dhëna të ndryshme në varësi të burimeve. Ky përshkrim bazohet në disa burime, përfshirë edhe Siret Hatemun Nebijinin. Pra, në lidhje me vdekjen e Hazret Ebu Seleme, ne gjejmë këto informacione:

Hazret Ebu Selema kishte qëndruar për këtë sarijje më shumë se 10 netë jashtë Medinës. Kur u kthye në Medinë, plaga e tij e marrë në luftën e Uhudit ishte hapur sërish. Kjo ia përkeqësoi gjendjen shëndetësore dhe ai ndërroi jetë po atë vit më 3 xhemadiul Ahir.

Pak fjalë për Tulejha ibn Huvejdin

Ne kemi përmendur kryetarin e fisit Benu Esed, pra Tulejha ibn Huvejlidin. Ai ishte shumë trim dhe për shkak të trimërisë konsdierohej i barabartë me 1000 kalorës. Ai shquhej gjithashtu për ligjërimin e tij të mprehtë. Ai ishte pjesë e delegacionit nga fisi Benu Esedi, i cili kishte takuar të Dërugarin e Allahut s.a.v.s. në 9 hixhri dhe kishte pranuar Islamin. Por më vonë e mohoi Islamin, madje u shpall si profet që në jetën e të Dërguari të Allahut s.a.v.s. dhe shkaktoi pështjellim e ngatërresë në vend. Ai pësoi humbje e disfatë dhe u largua vetë nga Arabia. Pastaj, u kthye sërish në kohën e Hazret Omerit r.a. dhe qëndroi në Islam deri në frymën e fundit. Ai shfaqi trimërinë dhe guximin e tij në luftën e Kadisijes si dhe në beteja në tjera. Në vitin 21 hixhri, ai mori gradën e dëshmorit në një luftë. Allahu i kishte përcaktuar përfundim të mirë, prandaj e mundësoi të pranonte Islamin.

Sarijje “Abdullah ibn Unejsi”

Hazret Abdullah ibn Unejs Xhuhni ishte prej ensarëve si dhe numërohej ndër aleatët e Benu Selemes. Ai kishte marrë pjesë në besëlidhjen e Ukabasë së dytë, në luftën e Bedrit, Uhudit si dhe në beteja të tjera. Ai ishte ndër ata njerëz, të cilët kishin rrëzuar idhujt e fisit Benu Seleme. Sipas burimeve të ndryshme, Hazret Abdullah ibn Unejsi kishte ndërruar jetë në 54 hixhri ose në 74 hixhri. Kur fiset rreth Medinës mësuan për rezultatin e luftës së Uhudit, disa prej tyre menduan se muslimanët tashmë janë dobësuar dhe është koha e duhur për t’i sulmuar ata.

Halit ibn Sufjan Huzuli Lahjani ishte kryetari i fisit Benu Lahjan. Sipas disa transmetimeve ai quhej Sufjan ibn Haliti. Ai ishte gjithashtu i mendimit se muslimanët sapo kanë marrë një goditje të rëndë, pse të mos përfitohet nga rasti dhe të bëhet agresion kundër tyre, dhe përmes plaçkitjes në Medinë, të vendoset mbizotërimi i tyre. Ky njeri ishte mbushur me urrejtje dhe armiqësi ndaj Islamit dhe sillej me arrogancë e mendjemadhësi. Ai po përgatiste ushtri në luginën Urna, e cila ndodhej afër Nahlës apo Refatit. Ai kishte nisur fushatën e mobilizimit të luftëtarëve nga populli i tij si dhe nga fiset rreth Medinës. Deri tani shumë luftëtarë nga fiset e tjera i ishin përgjigjur thirrjes së tij për t’iu bashkuar ushtrisë kundër muslimanëve.

Kur i Dërguari i Allahuts.a.v.s. mësoi se Sufjan ibn Haliti ka ngritur një ushtri të madhe për të sulmuar Medinën, ai mori një vendim të arsyeshëm sipas të gjitha taktikave ushtarake. Ai vendosi që në vend të ngrihet një ekspeditë ushtarake për t’u ndeshur me Sufjanin, që do të shkaktonte gjakderdhje të madhe në të dyja palët, përse të mos eliminohej vetë nismëtari i kësaj ushtrie rebele.

Për këtë detyrë të rëndësishme, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zgjodhi njërin prej sahabëve të tij trimë, i cili quhej Abdullah ibn Unejsi. Profeti s.a.v.s. kërkoi Hazret Abdullah ibn Unejsin dhe e njoftoi për planin e rrezikshëm të Sufjan ibn Halitit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi për të shkuar fshehurazi tek ai dhe për ta eliminuar atë. Meqë Abdullahu nuk e kishte parë kurrë Sufjanin, ai e pyeti: “O i Dërguri i Allahut! Më përshkruani pak pamjen e Sufjanit”. I Dërguari  i Allahut s.a.v.s. i tha: “Kur ta shikosh atë, do të tmerrohesh nga pamja e tij dhe fytyra e tij do të të sjellë ndërmend figurën e djallit”. Abdullah i tha: “O i Dërguar i Allahut! Askush nuk më ka frikësuar kurrë në jetë.” Profeti i tha: “Sigurisht, por kur ta shikosh atë, do të të zënë të dridhurat”.

Në këtë mënyrë, më 5 muharrem 4 hixhri, Hazret Abdullah ibn Unejsi r.a. u nis i vetëm për këtë mision. Ai rrëfen këtë ngjarje me këto fjalë:

“Kur mbërrita në luginën Urna, e cila ndodhet afër Arafatit, e pashë Sufjanin duke ecur me një shkop. Mbrapa tij, ecnin anëtarët e fiseve të tjera, të cilët kishin hyrë në aleancë me të, duke iu përgjigjur thirrjes së tij”. (Ai nuk mbështetej në shkop për shkak të moshës, përkundrazi ishte zakoni i asaj kohe) Unë e dallova menjëherë Sufjanin, në bazë të përshkrimit që më kishte bërë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Me të parë, më hyri në zemër frika ndaj tij, edhe pse nuk i ishte frikësuar askujt në jetë, Abdullahun e zuri frika. Unë i thashë vetes se përnjëmend, Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë thënë të vërtetën.

Ishte koha e namazit të iqindisë. Mendova se nëse ndeshem me të në atë kohë, ndoshta do të humbja namazin e iqindisë. Prandaj, vendosa të fal iqindinë, duke hedhur hapa në drejtimin e tij. Unë po ecja dhe pjesë të ndryshme të namazit, po i bëja me shenjë dore. Kur iu afrova, ai më pyeti se kush isha. Unë i thashë se vija nga fisi Benu Haza’a. Unë kam dëgjuar se ai po ngrinte një ushtri kundër Muhammedit, prandaj, kam ardhur t’ju bashkëngjitem. Ai më tha, sigurisht, po ngre një ushtri kundër Muhammedit. Unë e shoqërova për një farë kohe dhe nisa bisedën me të. Ai tregoi interes të madh në bisedën time. Sufjan ibn Haliti tha se Muhammedi kurrë nuk është ballafaquar me një kundërshtar si ai. Ai është ndeshur deri tani me njerëz të papërgatitur për luftë.

Kur Sufjani mbërriti pranë tendës së tij, shoqëruesit e tij u larguan nga vendi. Unë gjithashtu jam ulur afër tij. Ra mbrëmja dhe gjithkund u shtri heshtja e madhe dhe njerëzit ranë në gjumë. Unë gjeta momentin dhe iu vërsula me vrull pa asnjë vonesë. Unë e ekzutova dhe ia preva kokën, të cilën e mora me vete. Pastaj, unë u strehova në një shpellë, që gjendej në kodrën afër. Disa njerëz erdhën deri në hyrje të shpellës, duke më kërkuar mua, por ata u kthyen me dëshpërim pa gjetur asgjë.

Më vonë, dola nga shpella dhe nisa rrugën për në Medinë. Për t’iu shmangur kapjes, kam ecur gjatë gjithë natës, dhe ditës gjeja strehim në ndonjë vend të fshehtë. Kur mbërrita në Medinë, takova të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., i cili më tha menjëherë أفلح الوجه “Kjo fytyrë ka dalë me sukses”. Por unë iu përgjigja me këtë shprehje أفلح وجهك يا رسول الله  Ka ngadhënyer fytyra juaj, o i Dërguari i Allahut!. Pra, kjo ishte rezultati i lutejve të Profetit s.a.v.s.”.

Pastaj, Hazret Abdullah ia rrëfeu gjithë ngjarjen dhe kokën e atij prijësi rebel, vuri nën këmbët e tij. Sipas një transmetimi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte njoftuar për vrasjen e Sufjan ibn Halitit, ndërkohë Abdullahu ende nuk kishte mbërritur në Medinë.

Hazret Abdullahu ka përcjellë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke u kënaqur nga veprimi im, më dhuroi një shkop dhe tha: “Ai do të jetë shenja midis meje dhe teje në xhenet. Ti do të mbështetesh në të në Xhenet”. Kështu, ai shkop e shoqëroi Hazret Abdullah ibn Unejsin gjatë gjithë jetës, derisa i erdhi çasti i fundit, dhe ai u la amanet familjarëve të tij, që shkopi ta shoqërojë atë edhe në qefin, e të qëndrojë midis trupit të tij dhe qefinit. Familja e tij plotësoi dëshirën e tij. Abdullah ibn Unejsi r.a. quhet gjithashtu “Dhul-Mihsera” ذو المخسرۃ do me thënë i shkopit.

Hazret Abdullah ibn Unejsi qëndroi 18 ditë jashtë Medinës, dhe u kthye në ditën e shtunë, kur i kishin mbetur 7 ditë muajit Muharrem.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkruar hollësisht ngjarjet e vitit 4 të hixhretit. Ai shkruan:

“Nxitja dhe provokimi i kurejshëve dhe disfata e përkohshme e muslimanëve në Uhud, tani po tregonin me shpejtësi të madhe pasojat e tyre të rrezikshme. Prandaj, në të njëjtat ditë në të cilat Benu Esedi ishte përgatitur për të bastisur Medinën, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi se anëtarët e fisit Benu Lahjan po grumbullonin një ushtri të madhe në vatrën e tyre Urna, afër Mekës, me nxitjen e udhëheqësit të tyre Sufjan bin Halit dhe ata synonin të sulmonin Medinën. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili i kuptonte mjaft mirë situatat dhe ishte i ditur për gjendjen e fiseve të ndryshme arabe si dhe për fuqinë dhe ndikimin e tyre, sapo e mori lajmin, e kuptoi menjëherë se i gjithë ky pështjellim dhe trazira është pjella e prijësit të Benu Lahjanit, pra të Sufjan bin Halitit. Po të mos ishte ai i pranishëm në këtë situatë, fisi Benu Lahjani nuk do të guxonte kurrë të sulmonte Medinën dhe ai gjithashtu e dinte se përveç Sufjanit, asokohe nuk ekzistonte asnjë person tjetër me ndikim në këtë fis, i cili mund ta udëhiqte këtë lëvizje pas tij.

Prandaj, duke menduar se nëse kundër Benu Lahjanit, dërgohet një kolonë ushtarake, përveç që do t’u shkaktojë vuajtje muslimanëve të gjorë, mundej që një hap i tillë do t’i hapte derën më shumë gjakderdhjes në vend.

Pikërisht për këtë arsye, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. sugjeroi që të shkonte vetëm një person drejt tyre dhe të eliminonte Sufjan bin Halitin, themeluesin e kësaj fitneje dhe rrënjën e kësaj të keqeje. Kështu, ai e nisi Abdullah bin Unejs el-Ensariun për këtë mision. Meqë Abdullahu nuk e kishte parë kurrë Sufjanin në jetë, Profeti vetë ia përshkroi pamjen e jashtme të Sufjanit dhe i tha në fund për të pasur kujdes pasi Sufjani është njeri i djallëzuar.

Në këtë mënyrë, Abdullah ibn Unejsi mbërriti me shumë kujdes në kampin e Benu Lahjanit, të cilët me të vërtetë ishin të zënë me përgatitjet për të sulmuar Medinën. Me të gjetur momentin e duhur, Abdullahu e vrau Sufjanin gjatë natës.

Kur populli Benu Lahjani e mori vesh këtë lajm, ata dolën menjëherë për të kapur Abdullahun, por ai shpëtoi duke u strehuar në një vend të fshehtë. Kur Abdullah doli para të Dërguarit të Allahuts.a.v.s., ai kuptoi menjëhjerë vetëm duke parë fytyrën e tij, se Abdullahu ia kishte dalë qëllimit. Pra, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa atë, ai i tha: أفلح الوجه “ia doli fytyra”. Abdullahu iu përgjigj, madje dha një përgjigje të shkëlqyer. Ai i tha: “أفلح وجهك يا رسول الله  Ia dolli fytyra juaj, o i Dërguari i Allahut!”. Suksesi është i juaji. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha si shpërblim Abdullahut shkopin që mbante në dorë dhe i tha: “Ky shkop do të të shërbejë për t’u mbështetur në Xhenet”. Abdullahu e mbajti me dashuri dhe përkujdesje të madhe këtë shkop të bekuar dhe në kohën e vdekjes la amanet që ai të varrosej me të. Kështu u bë.

Nga gëzimi i të Dërguarit të Allahuts.a.v.s. pas përfundimit të suksesshëm të misionit Abdullahut si dhe nga dhënia e shkopit të tij si shpërblim të veçantë, na bëhet e qartë se Profetis.a.v.s. e shikonte kryengritjen e Sufjan bin Halitit si një veprim jashtëzakonisht të rrezikshëm, ndërsa vrasjen e tij në ato rrethana, e konsideronte si mëshirë për rendin publik.

Kritikët ndaj Islamit e akuzojnë të Dërguarin e Allahuts.a.v.s., se meazAllah ai përmbysi rendin e paqes dhe shkaktoi gjakderdhjen njerëzore. Ndërkohë, ai është aq i vendosur për të mbrojtur jetën njerëzore të një fisi armik, saqë arriti në përfundimin se vrasja e një njeriu është më e pranueshme se sa të rrezikohet popullsia e tërë. Kjo është lartësia e dhembshurisë njerëzore. E ashtuquajtura bota moderne po lejon gjakderdhjen e fëmijëve, grave dhe pleqve të pafajshëm me pretekstin se gjoja duan të vrasin vetëm disa individë dhe pastaj thonë paturpësisht se nuk kanë çfarë të bëjnë kjo ndodh në luftë. Ndërkohë i Dërguari i Allahuts.a.v.s. kishte lëshuar urdhër të prerë që të mos vritet asnjë fëmijë, grua, plak i moshuar apo fetar që nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftë. Edhe lufta ka rregullta. Pra, ky është shembulli i lartë i Hazret Muhammedit s.a.v.s. dhe këto janë mësime të

Sarija “Raxhi’”

Tani i kthehem sarijjes Raxhi’ të cilin do të trajtoj shkurtimisht, pasi përshkrimi i saj është i gjatë. Kjo ekspeditë quhet ndryshe “Sarija Mersed bin Ebi Mersed” dhe i është ngjitur ky emër pas emrit të udhëheqësit të saj Mersed bin Ebi Mersed. Megjithatë, në histori kjo sarije njihet gjerësisht me emrin Raxhi. Emri Raxhi’ vjen nga një burim i fisit Benu Huzejl, i cili ndodhet në Hixhaz. Sot, ky burim njihet me emrin Betija, i cili ndodhet në veri të Mekës, me një distancë prej shtatëdhjetë kilometrash. Kjo Sarije ndodhi në fillim të muajit Safer 4 Hixhri. Sipas Ibn Is’hakut dhe Ibn Hishamit, kjo sarije ka ndodhur në vitin e tretë pas betejës së Uhudit. Në komentimin e Buhariut “Fat’h el-Bari” dhe në Mevahib është përmendur se kjo sarije ishte zhvilluar në fund të vitit të tretë të hixhretit.

Një sqarim në lidhje me kohën e sarijes Raxhi

Departamenti ynë i studimit hulumtues ka dhënë një shënim në lidhje me Sarija Raxhi dhe ky shënim mund të jetë interesant për disa, pasi në histori jepen data të ndryshme kur është zhvilluar kjo sarije. Sigurisht, ky shënim mund të ngjallë interes tek ata, të cilët studiojnë dhe hulumtojnë këto çështje me interes të madh. Ky shënim vijon kështu:

“Në veprat e historisë dhe biografisë, madje edhe në Buhari, ngjarjet e Sarija Raxhi dhe Bi’ri Ma’una janë përzier dhe disa biografë kanë tërhequr vërejtje ndaj saj. Po ashtu ekziston një gabim tjetër, që shumica e biografëve kanë shkruar që Sariya Raxhi ishte zhvilluar në vitin e 4-të pas hixhretit. P.sh. është përshkruar ngjarja e shitjes së Hazret Hababit dhe Hazret Zejdit në Mekë, por për shkak të fillimit të mujave të shenjtë, banorët e Mekës i mbajtën në burg dhe kur përfunduan muajt e shenjtë, ata i vranë këta dy. Shpeshherë biografët citojnë këtë ngjarje, por kur ndalemi te muajt e shenjtë, mësojmë që tre prey tyre vijnë në renditje, njëri pas tjetrit, përkatësisht Dhu K’ada, Dhul Hixhe dhe Muharrem, ndërsa muaji i katërt është Rexhebi, i cili vjen pesë muaj pas Muharremit. Tani, kur kjo Sarije ishte zhvilluar në muajin Safar, tre muajt e shenjtë tashmë kishin kaluar, dhe pritej të vinte muaji i katërt i shenjtë pra Rexhepi, pas katër muajve të Safarit. Nëse pranojmë se kjo sarije ishte zhvilluar në Safar 4 Hixhri, është e palogjikshme të pohojmë se tre muajt e shenjtë kishin filluar, dhe nëse nuk ishte periudha e muajve të shenjtë, nuk kishte kuptim, që ata të mbaheshin si rob lufte për një periudhë të gjatë. Çfarë nevoje kishin banorët e Mekës, t’i mbanin si rob, edhe pse ata donin t’i vrisnin sa më parë për të shuar zjarrin e hakmarrjes, madje duke i mbajtur gjatë në burg, të merrnin përsipër barrën e ushqimit dhe të sigurisë.

Biografët dhe historianët të cilët janë të mendimit se kjo sarije ishte zhvilluar në muajin Safer 4 Hixhri, nuk i janë përgjigjur këtyre pyetjeve. Ne kemi një nga dy mundësi:

  1. të pranojmë se mendimi që muajt e shenjtë kishin filluar dhe mekasit mbajtën ata dy për një periudhë kohore, nuk është i pranueshëm.

  2. ose të themi se të gjitha hadithet janë të sakta, pra që edhe muajt e shenjtë kishin filluar ata dy mbetën në burg për një periudhë të gjatë, megjithatë, në këtë rast duhet pranuar se shumica e historianëve dhe biografëve kanë gabuar në caktimin e kohës së kësaj sarije.

Një pakicë e vogël historianësh, ka mbështetur mendimin se kur këta dy sahabë u sollën në Mekë për shitje, ishte filluar muaji i shenjtë i Dhul Kades. Siret nga Ibn Is’haku, i cili është një nga librat më të hershëm të biografisë, si dhe Ibn Hishami, që të dy e kanë shkruar për Sarijen Raxhi se ajo ka ndodhur në vitin e 3-të pas betejës së Uhudit. Komentues i famshëm dhe i dalluar i Buhariut, dhe autori i librit “Fat’h el-Bari” Alama Ibn Haxher el-Askalaniu pohon se kjo ngjarje ndodhi në fund të vitit 3 hixri. Po ashtu, një libër tjetër autentik i biografisë “el-Muvahib Ledunnijeh” المواهب اللدنية بالمنح المحمدية, gjithashtu e ka shkruar këtë.

Në këtë mënyrë, duket më e saktë se kjo sarije ishte zhvilluar në ditët e fundit të Shevalit në 3 Hixhri. Por meqë Hazret Hababi dhe Hazret Zejdi ishin martirizuar në muajin Safer 4 Hixhri, prandaj kur lajmi i martirizimit të tyre mbërriti në Medine, ajo datë gradualisht u bë më e pranueshme nëpër burime. Megjithatë, Allahu e di më së miri.

Prapaskenat e sarijes “Raxhi”

Në lidhje me prapaskenat e kësaj sarije, është shkruar se në sarijen e mëparshme, përkatësisht në Sarije Abdullah bin Unejs, kemi përmendur për ekzekutimin e Sufjan bin Halitit, i cili ishte prijësi i fisit Benu Lahjan. Kjo ngjarje u kishte mbushur pjesëtarët e këtij fisi me ndjenjat e hakmarrjes. Ata ishin zhytur ditë e natë në mendimin se si të hakmerreshin nga muslimanët. Kështu disa njerëz të këtij fisi erdhën në fisin Adal dhe Kara. Këta njerëz shquheshin për shigjetarinë e tyre. Fisi Adal ishte një degë e Benu Hoon bin Huzejma, e cila i atribuohej Adal bin Deshit. Fisi Kara ishte gjithashtu degëzimi i Hunit që i përkiste Deshit.

Pjesëtarët e fisit Benu Lehjan u thanë atyre që të shkonin në Medine te Hazret Muhammedi dhe t’i kërkonin atij që të dërgojë disa nga njerëzit e tij me ta në mënyrë që ata të mund të predikonin Islamin në fisin e tyre. Ata shprehën shpresë të plotë se Muhammedi (s.a.v.s.) do t’i shoqëronte ata me disa nga sahabët e tij dhe kur të vinin shokët e Muhammedit (s.a.v.s.), ata do t’i shisnin ata te Mekasit në këmbëim të një çmimi të lartë. Mekasit, me siguri do t’i vrasin, gjë që do ta plotësonte edhe hakmarrjen e tyre, e njëkohësisht do t’u siguronte pasurinë.

Në këtë mënyrë, sipas këtij plani, një delegacion prej 7 personash, nga fisi Adal dhe Kara mbërritën në Medine dhe i thanë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se Islami ka një pozitë të lartë në fisin e tyre, e prandaj ata duan që Profeti s.a.v.s. të dërgojë disa nga njerëzit e tij në fisin e tyre, që ata të përhapin Islamin atje. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte ngritur një grup muslimanësh prej dhjetë personash që të mblidhnin informacione rreth Mekës dhe të shqyrtonin situatën. Tani kur ky delegacion erdhi në Medinë, Profeti (a.s.) dërgoi një grup prej dhjetë vetësh me ta. Sipas një hadithi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi shtatë burra me këtë delegacion. Ibn Hishami ka shkruar se kishte dërguar gjashtë sahabë me këta njerëz, ndërsa Ibn Sa’di ka thënë se ata ishin dhjetë veta, por ka përmendur emrat e vetëm 7 prej tyre. Në Sahih Buhari si dhe në shumicën e librave të biografive përmendet numri 10, edhe pse me emra, janë shënuar vetëm shtatë prej tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e caktoi Ahsen bin Thabitin udhëheqësin e tyre, ndërsa sipas të tjerëve, ai e caktoi Mursad bin Ebi Mursad Ganaviun si kryetar.

Hazreti Kalifi II r.a. ka shkruar:

“Në vitin e 4-t të hixhretit, dy fiset arabe, Adal dhe Kara, dërguan përfaqësuesit e tyre te Profeti i Shenjtës.a.v.s. dhe parashtruan kërkesën se meqë shumë burra në fiset e tyre ishin kthyer në Islam, prandaj kishin nevojë që disa muslimanë që ishin plotësisht të përkushtuar ndaj mësimeve të Islamit, dhe kanë njohuri të gjerë të dërgoheshin me ta, që të jetonin mes tyre dhe t’u mësonin atyre këtë fe të re. Me të vërtetë, ky ishte një komplot i kurdisur nga Benu Lahjan, armiq të përbetuar të Islamit dhe qëllimi i tyre ishte që kur ky delegacion të arrinte të sillte muslimanët, ata i vrisnin dhe hakmerreshin për vrasjen e prijësit të tyre Sufjan bin Halit.

Në këtë mënyrë, ata i dërguan përfaqësuesit e fiseve Adal dhe Kara para Profetit të Shenjtës.a.v.s. me qëllim që të sillnin disa muslimanë me vete. Kur përfaqësuesit e Adalit dhe Karas erdhën te Profeti s.a.v.s. dhe i parashtruan kërkesën e tyre, Profetis.a.v.s. u besoi fjalëve të tyre dhe dërgoi dhjetë muslimanë me ta për t’u mësuar atyre besimet dhe parimet e Islamit.

Zhvillimet e tjera, që lidhen me fatin e këtyre njerëzve do t’ju përshkruaj në të ardhmen, insha-Allah.

Thirrja për lutje

Sot dua t’ju bëj thirrje përsëri për t’u lutur për të burgosurit e Jemenit, veçanërisht për një zonjë e cila shërben si kryetarja e organizatës së grave, dhe e cila po mbahet në kushte shumë të vështira. Ajo si dhe disa të tjerë, të cilët nuk po u binden kërkesat e autoriteteve, po mbahen në burg. Këta po mbahen në qeli si robër. Ju duhet të luteni për ta, Allahu ua mundësoftë lirimin e tyre. Lutuni për lirimin e të burgosurve edhe në Pakistan.

Mos i ndërprisni lutjet tuaja për Popullin palestinez. Nganjëherë duket sikur situata do të përmirësohet, por ato prapë përkeqësohen. Qeveria izraelite po sillet me arrogancë e kryeneçësi. Allahu i shpëtoftë palestinezët nga shtypja e tyre dhe u mundësoftë muslimanëve të përmbushin detyrën e tyre!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp